
NATO ka refuzuar kërkesën e Rusisë për garanci ligjore për të frenuar zgjerimin e Aleancës me anëtarë të rinj të mundshëm, deklaroi shefi i Aleancës së Veriatlantikut, Jens Stoltenberg, gjatë konferencës për shtyp pas Këshillit NATO-Rusi në Bruksel.
“Aleatët nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromis mbi parimet kyçe, si e drejta e vendeve për të zgjedhur rrugën e tyre dhe e drejta e anëtarëve të Aleancës për mbrojtje reciproke”, -tha Stoltenberg, duke theksuar se NATO është e hapur për dialog për kontrollin e armëve, kufizimet mbi raketat, politikën bërthamore dhe sigurinë kibernetike, përcjell “Ansa”.
"Gjatë Këshillit NATO-Rusi u shfaqën dallime të rëndësishme mes Moskës zyrtare dhe aleatëve të Aleancës, të cilat nuk janë të lehta për t'u kapërcyer. Por pikërisht për këtë arsye është edhe më e rëndësishme vazhdimi i dialogut", -tha Stoltenberg. Ai theksoi se Aleanca është e gatshme të rihapë misionet e tyre përkatëse, në Bruksel dhe Moskë, pa parakushte. Prandaj, sipas tij, dialogu është i mundur në ato fusha ku parimet bazë të Aleancës nuk vihen në dyshim.
“Në ditët e fundit kemi parë që bisedimet në vazhdim (për garancitë e sigurisë të kërkuara nga Rusia) shoqërohen me deklarata të gjalla dhe agresive nga SHBA. Natyrisht, e gjithë kjo zgjon interesin tonë, edhe pse e kuptojmë arsyen”, -tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, cituar nga “TASS”.
Përfaqësuesja amerikane në takim, Wendy Sherman, deklaroi përmes një postimi në “Twitter”, se në Këshillin NATO-Rusi rikonfirmoi parimet themelore të sistemit ndërkombëtar dhe të sigurisë evropiane, “çdo vend ka të drejtën sovrane të zgjedhë rrugën e tij”. (Irma)







