Siria iu bashkua të mërkurën nismës së propozuar nga Kina "Një brez, një rrugë", e cila do ta ndihmojë këtë vend të Lindjes së Mesme të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim me Kinën dhe vende të tjera.

Ceremonia e pranimit të Sirisë u zhvillua gjatë nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi në Komisionin e Planifikimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar në kryeqytetin sirian Damask. Në të morën pjesë kreu i këtij komisioni Fadi Khalil dhe ambasadori kinez Feng Biao.

Khalil tha se pranimi ringjall rolin e vjetër të Sirisë në Rrugën e lashtë të Mëndafshit dhe do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit dypalësh me Kinën e të bashkëpunimit shumëpalësh me vendet e tjera që dëshirojnë të bashkëpunojnë me Sirinë.

Ai vuri në dukje se Siria ka qenë një nga vendet kryesore në Rrugën e lashtë të Mëndafshit, veçantërisht qytetet Alepo dhe Palmira.

"Një brez, një rrugë", e propozuar nga Kina në vitin 2013, përfshin Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugën Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të dhe synon të ndërtojë një rrjet tregtie, investimesh dhe infrastrukture që lidh Azinë me pjesët e tjera të botës përgjatë Rrugës së lashtë të Mëndafshit dhe përtej.