Kombet e Bashkuara dhe organizatat joqeveritare nisën plane të përbashkëta reagimi që synojnë të ofrojnë ndihmë jetike humanitare për 22 milionë njerëz në Afganistan dhe të mbështesin 5.7 milionë afganë të zhvendosur dhe komunitetet lokale në pesë vende fqinje, njoftoi OKB në faqen e vet ueb.

Sipas nënsekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Çështjet Humanitare dhe koordinator i Ndihmës Emergjente, Martin Griffiths, ngjarjet në Afganistan gjatë vitit të kaluar janë shpalosur me shpejtësi marramendëse dhe me pasoja të thella për popullin afgan.

Ndihma e OKB-së për Afganistanin dhe refugjatët afganë në vendet fqinje do të kushtojë të paktën 5.1 miliardë dollarë këtë vit.

Sipas të dhënave të OKB-së, 4.7 milionë persona në Afganistan pritet të vuajnë nga kequshqyerja e rëndë këtë vit, duke përfshirë 3.9 milionë fëmijë.

“Pa ndihmë të mëtejshme, 131.000 fëmijë rrezikojnë të vdesin nga uria. Një fatkeqësi e madhe humanitare është duke u afruar”, -theksoi Martin Griffiths. Ekonomia e Afganistanit u shemb pas tërheqjes kaotike të SHBA-së dhe aleatëve të saj dhe marrjes së pushtetit nga talebanët në gusht. (Elona)