Kina dhe Rusia, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vende fqinje mike të vendeve të Azisë Qendrore, duhet të parandalojnë shpërthimin e kaosit ose të luftës në Azinë Qendrore, tha të hënën këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.

Ai i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Presidenti kinez Xi Jinping i ka dërguar një mesazh verbal presidentit të Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, ku shpreh publikisht kundërshtimin e vendosur të Kinës ndaj çdo përpjekjeje të forcave të jashtme për të provokuar trazira dhe për të nxitur "revolucione me ngjyrë" në Kazakistan, tha Wang.

Ai shtoi se Kina pajtohet me vlerësimin e presidentit Tokayev për natyrën e trazirave në Kazakistan dhe mbështet Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive për ta ndihmuar Kazakistanin në luftimin e forcave të dhunshme terroriste dhe për të luajtur një rol pozitiv në rivendosjen e qëndrueshmërisë në Kazakistan me parakushtin e respektimit të sovranitetit të këtij vendi.

Kina mbështet Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait në forcimin e bashkërendimit dhe bashkëpunimit me Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive për të trajtuar së bashku sfidat e ndryshme për sigurinë rajonale, tha kreu i diplomacisë kineze.

Nga ana e tij, Lavrovi bëri një paraqitje të vlerësimit të situatës në Kazakistan gjatë samitit të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, duke thënë se po bëhet gjithnjë e më e qartë se kaosi i tanishëm në Kazakistan është i orkestruar nga forcat e huaja.

Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive dërgoi trupa paqeruajtëse në Kazakistan me kërkesën e palës kazakistanase dhe gjendja në Kazakistan është përmirësuar ndjeshëm, njoftoi ai.

Të dyja palët diskutuan edhe për marrëdhëniet dypalëshe.