Diplomatët nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia u takuan të hënën në Gjenevë, duke filluar një seri bisedimesh të nivelit të lartë këtë javë, në lidhje me grumbullimin masiv të trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën dhe kërkesat ruse për garanci sigurie nga Perëndimi, njofton “Zëri i Amerikës”.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit deklaroi se pala amerikane është këshilluar jo vetëm me Ukrainën, por edhe me NATO-n dhe aleatët e tjerë në gjithë Evropën.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj parimit “Asgjë për ty, pa ty” kur bëhet fjalë për sigurinë e aleatëve dhe partnerëve tanë evropianë, përfshirë Ukrainën. Ne jemi të lidhur në çdo nivel me aleatët dhe partnerët tanë dhe do të vazhdojmë të jemi në ditët dhe javët në vijim”, tha zëdhënësi në një deklaratë.

Pas bisedimeve të Gjenevës, Rusia do të zhvillojë negociata me NATO-n në Bruksel të mërkurën, ndërsa të enjten ne Vjenë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Para takimit SHBA-Rusi të së hënës, diplomatët e lartë të të dyja palëve shprehën pak optimizëm se tensionet mes vendeve do të zbuteshin këtë javë.

“Është e vështirë të arrihet ndonjë përparim me revolen në kokë të Ukrainës. Ne do të dëgjojmë shqetësimet e Rusisë në lidhje me stërvitjet ushtarake të NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore”, -deklaroi sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, për “CNN”.

Ndërkohë, agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “RIA”, citoi zëvendësministrin e Jashtëm, Sergej Ryabkov, të ketë thënë se është plotësisht e mundur që bisedimet SHBA-Rusi të përfundonin papritur pas një takimi të vetëm.

“Nuk mund të përjashtoj asgjë; ky është një skenar krejtësisht i mundshëm dhe amerikanët nuk duhet të kenë iluzione për këtë”, citohet të ketë thënë Ryabkov.

(Fatosi)