
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i dha të hënën mbështetje të fortë Kazakistanit për "ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe ndalimin e dhunës", ndërsa ky vend i Azisë Qendrore ka qenë dëshmitar i një vale demonstratash ekstreme qysh nga 2 janari.
Wang i tha këto gjatë një bisede telefonike me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kazakistanit Mukhtar Tileuberdi, tre ditë pasi presidenti kinez Xi Jinping vlerësoi presidentin kazakistanas Kassym-Jomart Tokayev për "nismën vendimtare dhe të fortë" të tij kundër trazirave.
Protesta, e shkaktuar nga një rritje e papritur e çmimit të karburanteve, është shndërruar në trazirat më të rënda që ka kaluar Kazakistani në 30 vjetët e pavarësisë.
Kina dëshiron që të bëjë përpjekje më të mëdha për të ofruar mbështetjen e ndihmën e nevojshme për palën kazakistanase, tha Wang, duke dërguar ngushëllime për të pafajshmit që kanë humbur jetën ose janë lënduar.

Wang: Disa forca të jashtme nuk duan paqen në Azinë Qendrore
Këto trazira tregojnë se ekzistojnë sfida për të kontrolluar situatën në Azinë Qendrore "dhe dëshmojnë se disa forca të jashtme nuk e duan paqen dhe qëndrueshmërinë në Azinë Qendrore", vuri në dukje Wang.
"Ne po kundërshtojmë së bashku depërtimin dhe ndërhyrjen nga palët e jashtme," u shpreh ai.
Kina dëshiron që të punojë me Kazakistanin duke forcuar bashkëpunimin në kontrollin e ligjshëm dhe masat e sigurisë, për të ruajtur sovranitetin dhe sigurinë e sistemeve politike, theksoi kryediplomati kinez, duke kritikuar "çdo lloj skeme të 'revolucionit me ngjyra'."
Ai shtoi se Kina beson që Kazakistani do të garantojë sigurinë e shtetasve kinezë në këtë vend. (Xu Guang)







