
Rreth 5800 persona janë arrestuar në Kazakistan mes trazirave, duke përfshirë një numër të huajsh, njoftoi shërbimi për shtyp i presidentit kazak Kassym-Jomart Tokayev, citon “Xinhua”.
"Aktualisht, janë iniciuar afro 125 raste penale, rreth 5800 persona janë shoqëruar në polici, me një numër të konsiderueshëm të shtetasve të huaj në mesin e tyre", -thuhet në një deklaratë pas mbledhjes së shtabit operativ të mbajtur nën kryesimin e presidentit Tokayev.
Situata është stabilizuar në të gjitha qarqet e vendit, me funksionimin e shërbimeve komunale dhe sistemeve të mbështetjes për jetën.
Tokayev, gjatë takimit, përsëriti vendosmërinë e tij për të rivendosur plotësisht rendin dhe sigurinë publike në vendin e Azisë Qendrore.
Protestat e dhunshme të shkaktuara nga rritja e çmimit të karburantit kanë tronditur Kazakistanin prej disa ditësh, duke çuar në vdekje të shumta dhe shumë të plagosur.
Presidenti ka shpallur një ditë zie kombëtare më 10 janar për nder të viktimave. (Fatosi)







