
Këshilli i Agjencisë për Media Elektronike në Mal të Zi mori vendim për ndalimin e transmetimit të përmbajtjes programore të Televizionit nga Serbia, “TV Happy” për gjashtë muaj për shkak të "nxitjes së urrejtjes", njofton “Zëri i Amerikës”.
Agjencia për Media Elektronike (AME) njoftoi se vendimi është marrë për shkak se në një periudhë kohore në këtë televizion, pikërisht në emisionin “Mirëmëngjesi Serbi” ka pasur përmbajtje programore që ka nxitur urrejtje, intolerancë dhe diskriminim ndaj pjesëtarëve të nacionalitetit malazez.
“Agjencia për Media Elektronike kishte parasysh se përmbajtjet programore përdorin shprehje nënçmuese, fyese ose shqetësuese që nxisin emocione të forta negative, shprehje armiqësie ose dëshirë për diskriminim, si dhe nënçmojnë ose zhvlerësojnë malazezët, duke mohuar kombësinë dhe identitetin e tyre”, -thuhet në njoftimin e AME-s.
AME vlerësoi se në përmbajtjet e përmendura të këtij televizioni janë keqpërdorur të drejtat e lirisë së shprehjes.
Në Konventën për Televizionin Ndërkufitar thuhet “se të gjitha programet, për sa i përket paraqitjes dhe përmbajtjes, duhet të respektojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat themelore të të tjerëve dhe nuk duhet të theksojnë në mënyrë të papërshtatshme dhunën ose të nxisin intolerancën racore dhe se nuk duhet të përmbajnë asnjë nxitje të urrejtjes bazuar në racë, seks, fe ose kombësi”. (Fatosi)







