VCG

VCG

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se varianti Omicron i Covid po vret njerëz në mbarë botën dhe nuk mund të përkufizohet si “i butë”.

Një paralajmërim i tillë vjen edhe pasi studimet e fundit sugjerojnë se Omicron ka më pak të ngjarë t’i sëmurë njerëzit rëndë sesa variantet e mëparshme të Covid-19, por numri rekord i njerëzve që preken nga ky variant, i ka vënë sistemet shëndetësore nën presion të madh, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, raporton “BBC”.

Sipas OBSH-së, numri i rasteve globale është rritur me 71% në javën e fundit dhe në Amerikë me 100%. Midis rasteve të rënda në mbarë botën, 90% ishin të pavaksinuar.

“Ndërsa Omicron duket të jetë më pak i rëndë në krahasim me Delta, veçanërisht në ata të vaksinuar, kjo nuk do të thotë se duhet të kategorizohet si i butë”, citohet të ketë thënë Tedros në një konferencë për shtyp, i cili shtoi se ashtu si variantet e mëparshme, Omicron po shtron njerëz në spital dhe po shkakton viktima.

Omicron është shumë ngjitës dhe mund të infektojë njerëzit edhe nëse janë plotësisht të vaksinuar. Tedros tha se vaksinat janë ende thelbësore pasi ato ndihmojnë në mbrojtjen kundër sëmundjeve të rënda që mund t’ju dërgojnë në spital dhe përsëriti thirrjet e tij për shpërndarje më të madhe të vaksinave për të ndihmuar vendet më të varfra. (Irma)