OBSH karantina Xinhua

OBSH karantina Xinhua

Megjithëse shumica e njerëzve shërohen nga Covid 19 brenda pesë deri në shtatë ditë nga fillimi i simptomave, Organizata Botërore e Shëndetësisë ende rekomandon një karantinë 14-ditore. Në një konferencë për shtyp, zyrtari i OBSH-së, Abdi Mahamud, tha se shtetet duhet të marrin vendime për kohëzgjatjen e karantinës bazuar në situatat e tyre individuale, bën të ditur “Xinhua”.

Në vendet me infeksione të ulëta, një kohë më e gjatë karantine mund të ndihmojë në mbajtjen e numrit të rasteve sa më të ulëta, shpjegoi ai. Në vendet me shumë raste, karantina më të shkurtra mund të justifikohen për të mbajtur vendet në funksion.

Zyrtari i OBSH-së u tha gazetarëve se ishte e mundur të infektoheshim si nga gripi ashtu edhe nga Covid 19. Megjithatë, duke qenë se të dy janë viruse të veçantë që sulmojnë trupin në mënyra të ndryshme, ka pak rrezik që ato të kombinohen në një virus të ri.

Sipas OBSH-së, deri më 29 dhjetor 2021, rreth 128 vende kishin raportuar raste të variantit Omikron. Në Afrikën e Jugut, e cila kishte parë një rritje të mprehtë të rasteve, shkalla e shtrimit në spital dhe e vdekjeve ka mbetur e ulët.

Megjithatë, sipas tij, situata nuk do të jetë e njëjtë në vendet e tjera, duke shtuar se bota nuk ka parë kurrë një virus kaq të transmetueshëm. (Elona)