
Një rekord prej 4.5 milionë amerikanësh u larguan vullnetarisht nga puna në nëntor, sipas Zyrës së Statistikave të Punës.
Kjo e shtyu normën e largimeve në 3%, njëlloj me nivelin më të lartë të shtatorit.
Punëtorët kishin më shumë gjasa të linin punën e tyre në industrinë e hotelerisë, e cila kishte shkallën më të lartë të largimit me 6.1% në nëntor, si dhe në kujdesin shëndetësor. Po ashtu u rritën edhe shifrat në transport, magazinim dhe shërbime komunale, bën të ditur “CNN”.
"Punëtorët vazhduan të linin punën e tyre me një ritëm historik. Sektorët me paga të ulëta të ndikuar drejtpërdrejt nga pandemia vazhduan të jenë burimi i pjesës më të madhe të largimit të lartë", -tha Nick Bunker, drejtor i kërkimit në “Indeed Hiring Lab”. Pyetja e madhe për vitin 2022 është nëse kjo dinamikë do të vazhdojë.

Shkalla e lartë e largimeve është një simptomë e tregut të ngushtë të punës ku punëtorët mund të gjejnë shpejt një punë të re dhe potencialisht më të mirë. (Elona)







