Më shumë se 1 milion njerëz në SHBA u diagnostikuan me Covid-19 të hënën, duke vendosur një rekord të ri ditor global.

Një total prej 1.06 milionë njerëz në të gjithë SHBA-në rezultuan pozitivë me virusin, një shifër e nxitur kryesisht nga varianti Omikron, zbulojnë të dhënat nga Universiteti “Johns Hopkins”, citon “The Guardian”.

Numri i të hënës është pothuajse dyfishi i rekordit të mëparshëm prej rreth 590.000 të vendosur vetëm katër ditë më parë në SHBA, që në vetvete ishte një dyfishim nga një javë më parë.

Shumë amerikanë po mbështeten në testet që bëjnë në shtëpi, me rezultate që nuk raportohen tek autoritetet zyrtare të qeverisë duke bërë që disa të sugjerojnë se rekordi i ri është një nënvlerësim domethënës. Megjithatë, vonesat në raportim gjatë festave mund të kenë luajtur gjithashtu një rol në normat në rritje. (Elona)