
Foto: VCG
Udhëheqësit e pesë shteteve me armë bërthamore, përkatësisht Kinës, Francës, Rusisë, Britanisë dhe ShBA-së, publikuan të hënën një deklaratë të përbashkët për parandalimin e luftës bërthamore dhe shmangien e garave së armatimit.
Më poshtë është teksti i plotë i deklaratës:
Republika Popullore e Kinës, Republika Franceze, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i konsiderojnë shmangien e luftës midis shteteve me armë bërthamore dhe pakësimin e rreziqeve strategjike si përgjegjësitë tona kryesore.
Ne pohojmë se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Duke qenë se përdorimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja të mëdha, ne pohojmë gjithashtu se armët bërthamore, për aq kohë sa vazhdojnë të ekzistojnë, duhet të shërbejnë për qëllime mbrojtëse, të pengojnë agresionin dhe të parandalojnë luftën. Besojmë fuqishëm se përhapja e mëtejshme e armëve të tilla duhet të parandalohet.
Ne ripohojmë rëndësinë e trajtimit të kërcënimeve bërthamore dhe theksojmë rëndësinë e ruajtjes dhe respektimit të marrëveshjeve e angazhimeve tona dypalëshe e shumëpalëshe të mospërhapjes, çarmatimit e kontrollit të armëve. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj detyrimeve tona sipas Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT), duke përfshirë detyrimin tonë sipas Nenit VI "për të zhvilluar negociata në mirëbesim mbi masat efektive në lidhje me ndërprerjen sa më parë të garës së armëve bërthamore dhe me çarmatimin bërthamor, dhe mbi një traktat për çarmatimin e përgjithshëm dhe të plotë nën kontroll të rreptë dhe efektiv ndërkombëtar”.
Secili prej nesh synon të ruajë dhe forcojë më tej masat e veta kombëtare për të parandaluar përdorimin e paautorizuar ose të paqëllimshëm të armëve bërthamore. Përsërisim vlefshmërinë e deklaratave tona të mëparshme për çshënjestrimin, duke ripohuar se asnjë nga armët tona bërthamore nuk ka në shënjestër njëri-tjetrin ose ndonjë shtet tjetër.
Ne theksojmë dëshirën tonë për të punuar me të gjitha vendet për të krijuar një mjedis sigurie më të favorshëm për përparimin lidhur me çarmatimin, me qëllim përfundimtar një botë pa armë bërthamore dhe me siguri për të gjithë. Synojmë të vazhdojmë të kërkojmë qasje diplomatike dypalëshe e shumëpalëshe për të shmangur konfrontimet ushtarake, për të forcuar stabilitetin e parashikueshmërinë, për të rritur mirëkuptimin e besimin e ndërsjellë dhe për të parandaluar një garë armatimesh, prej së cilës nuk do të përfitonte asnjë dhe do të rrezikonin të gjithë. Jemi të vendosur të ndjekim dialogun konstruktiv me respekt të ndërsjellë e njohje të interesave dhe shqetësimeve të sigurisë së njëri-tjetrit.







