
Foto:Visual People
Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in deklaroi se administrata e tij nuk do të ndalojë përpjekjet për të institucionalizuar paqen e qëndrueshme në Gadishullin Korean derisa mandati i tij pesëvjeçar të përfundojë në maj, njofton “Xinhua”.
Moon e bëri deklaratën gjatë fjalimit urues për Vitin e Ri, duke thënë se Koreja e Jugut ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për marrëdhëniet me Republikën Popullore Demokratike të Koresë (DPRK).
Ai tha se nëse dy Koretë rifillojnë dialogun dhe bashkëpunimin, komuniteti ndërkombëtar do t'i përgjigjet pozitivisht.
Presidenti vuri në dukje se qeveria e tij do të kërkojë normalizimin e marrëdhënieve ndërkoreane dhe një rrugë të pakthyeshme drejt paqes deri në fund, duke shpresuar se qeveria e ardhshme do të vazhdojë përpjekjet për dialog me DPRK.
Zgjedhjet presidenciale të vendit janë caktuar për më 9 mars.
Qeveria e Moon Jae-in ka kërkuar të shpallë një fund formal të Luftës Koreane të viteve 1950-53, e cila përfundoi me armëpushim, por ende nuk kishte arritur një përfundim të prekshëm.
Bisedimet për denuklearizimin midis DPRK-së dhe Shteteve të Bashkuara kanë ngecur që nga samiti i dytë midis liderit të lartë të DPRK-së Kim Jong Un dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump. Ajo përfundoi pa marrëveshje në shkurt 2019 në kryeqytetin vietnamez Hanoi. (Fatosi)







