foto nga VCG

foto nga VCG

Ministria e Tregtisë e Kinës u shpreh të enjten që marrëveshja e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), e cila do të hyjë fuqi më 1 janar 2022, do të zbusë ndikimin e COVID-19 mbi ekonominë dhe do të promovojë rritjen e Kinës.

Zbatimi i marrëveshjes do të forcojë besimin në rimëkëmbjen ekonomike në sfondin e pandemisë, pasi tregu i madh i integruar ka filluar të funksionojë, duke sjellë në mënyrë efektive mbrojtjen nga goditja e COVID-19 dhe një impuls të ri, tha Ren Hongbin, zëvendësministri kinez i Tregtisë në një konferencë shtypi.

Marrëveshja është një urë ndërmjet Kinës dhe vendeve të tjera për të shfrytëzuar burimet e ndryshme dhe për të harmonizuar rregulloret e brendshme dhe ato të jashtme, tha Ren.

Ky është gjithashtu një moment i ri historik në hapjen e Kinës. RCEP-i është një marrëveshje e tregtisë së lirë gjithëpërfshirëse, moderne dhe me cilësi të lartë, që do të nxisë pjesëmarrjen e Kinës në zinxhirët rajonalë industrialë dhe të furnizimit, tha Ren.

Të gjitha punët përgatitore tashmë kanë përfunduar. Kina është e gatshme të zbatojë të 701 detyrimet në bazë të marrëveshjes, duke përfshirë uljen e tarifave dhe thjeshtimin e procedurave doganore dhe listave negative. Autoriteti tatimor kinez ka rregulluar afatet e taksave dhe autoriteti doganor ka shpallur rregullat e origjinës.

Marrëveshja përfshin 10 vendet anëtare të ASEAN-it, si dhe Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re. Grupi i parë i vendeve që do të zbatojnë marrëveshjen përfshin gjashtë vende të ASEAN-it dhe katër vende jo anëtare të kësaj organizate: Kinën, Japoninë, Zelandën e Re dhe Australinë.

Vlera e përgjithshme e tregtisë midis Kinës dhe 14 vendeve të tjera anëtare të marrëveshjes arriti në 10.22 trilionë juanë (1.6 trilion dollarë) në vitin 2020, duke përbërë 31.7 për qind të vëllimit të përgjithshëm botëror, treguan të dhënat nga Administrata e Përgjithshme Doganore e Kinës.