Maqedonia e Veriut, e vendosur në mes të Gadishullit Ballkanik, ka një miqësi të thellë tradicionale me Kinën. Peco Trajkoski, drejtor i Qendrës për Analiza dhe Kërkime Strategjike të Maqedonisë së Veriut, e ka ndjekur Kinën për një kohë të gjatë. Ai foli me gazetarin e CMG-së për arritjet më të mëdha të zhvillimit të Kinës në vitin 2021 dhe për bashkëpunimin dypalësh në të ardhmen.

“Ndër arritjet e Kinës në vitin 2021, ajo që më bën të ndihem më i impresionuar është eliminimi i plotë i varfërisë absolute,” vuri në dukje Trajkoski.

Pavarësisht se është në Maqedoninë e Veriut, Trajkoski ende i kushton vëmendje të madhe zhvillimit të Kinës. Ai i tha gazetarit të CMG-së se eliminimi e gjithanshëm i varfërisë absolute është arritja më mbresëlënëse e zhvillimit të Kinës në vitin 2021 për dy arsye:

"Së pari, kjo tregon se Kina është një vend që përpiqet vazhdimisht për të arritur qëllimet e veta. Përveç kësaj, Kina ka një popullsi shumë të madhe dhe është një arritje e jashtëzakonshme të nxjerrësh kaq shumë njerëz nga varfëria. Sipas mendimit tim, kjo, më shumë se thjesht arritje e Kinës, është një kontribut në kauzën e reduktimit të varfërisë në botë, duke e bërë botën një vend më të mirë."

Maqedonia e Veriut ka përparësi të dukshme gjeografike në Ballkan. Vitet e fundit, marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe Maqedonisë së Veriut kanë ruajtur prirjen e mirë të zhvillimit. Në korrik 2019 u vu zyrtarisht në funksionim autostrada e Maqedonisë së Veriut Milladinovc-Shtip. Ajo është pjesë e grupit të parë të projekteve të Kinës me një kredi të posaçme prej 10 miliardë dollarësh për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, dhe është gjithashtu projekti më i madh i bashkëpunimit midis Kinës dhe Maqedonisë së Veriut deri më tani. Sipas Trajkoskit, ky projekt ka hedhur një bazë të mirë për bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kinës, dhe Maqedonia e Veriut duhet të forcojë më tej bashkëpunimin me Kinën në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmave të tjerë.

Ai tha në fund të intervistës se "Një brez, një rrugë" mund të ofrojë shumë mundësi për zhvillimin ekonomik botëror, veçanërisht në fushën e investimeve.