
foto nga VCG
Viti i Ri 2022 po afron dhe e gjithë bota pret një të nesërme më të mirë. Megjithatë, qeveria japoneze njoftoi së fundmi planet për shkarkimin e ujërave të ndotura bërthamore nga centrali bërthamor i Fukushimës, duke shkuar gjithnjë e më tej në rrugën e gabuar. Kjo ka shkaktuar ankth dhe zemërim te populli japonez dhe vendet fqinje, si dhe ka krijuar një kërcënim për të ardhmen e përbashkët të njerëzimit.
Dhjetë vjet më parë, një tërmet me magnitudë 9 ballë në Japoni shkaktoi një rrjedhje bërthamore në centralin bërthamor “Fukushima Daiichi”. Që atëherë, trajtimi i ujërave të ndotura bërthamore është bërë një problem i madh në Japoni. Në prill të këtij viti, qeveria japoneze vendosi zyrtarisht shkarkimin e ujërave të ndotura bërthamore të centralit të Fukushimës në det, gjë që ngjalli dyshime dhe kundërshtime të mëdha nga bashkësia ndërkombëtare.

foto nga VCG
A është i justifikuar vendimi për hedhjen e ujërave të ndotura bërthamore në det? A është i arsyeshëm plani i lëshimit të këtyre ujërave në det? A janë të besueshme të dhënat e ujërave të ndotura bërthamore? A mundet që pajisjet e pastrimit të jenë jo të besueshme? …Në tetë muajt e fundit, bashkësia ndërkombëtare ka ngritur shumë shqetësime ndaj Japonisë, por Japonia ka vazhduar të sajojë gënjeshtra dhe të vazhdojë planin e saj të asgjësimit të ujërave të ndotura bërthamore, në përpjekje për t’ia imponuar vendimin e vet të gabuar bashkësisë ndërkombëtare dhe duke u sjellë rreziqe vendeve në brigjet e Paqësorit.
Qeveria japoneze ka mbrojtur gjithmonë vendimin për shkarkimin e ujërave të ndotura bërthamore, duke pretenduar se është "i sigurt". Megjithatë, shumë vende dhe organizata ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit kanë bërë pyetjet: Nëse ujërat e ndotura bërthamore janë vërtet të sigurta, pse Japonia nuk i shkarkon a riciklon ato në liqenet e saj? Pse pala japoneze nuk zgjodhi të ndërtojë më shumë depo për ruajtjen e këtyre ujërave në Japoni? Ka vetëm një përgjigje: kjo është një kosto e lartë ekonomike dhe Japonia mori një vendim kaq të paturpshëm për arsye financiare.
Ekspertët bërthamorë të organizatës “Greenpeace” kanë vënë në dukje se elementi i karbonit 14 që përmbajnë ujërat e ndotura bërthamore japoneze është i rrezikshëm për mijëra vjet dhe mund të shkaktojë dëme gjenetike. Si mund të krahasohen këto pasoja të tmerrshme me koston ekonomike të trajtimit të ujërave të ndotura bërthamore?

foto nga VCG
Japonia është i vetmi vend në botë që është goditur nga armët bërthamore dhe i njeh mirë rreziqet e rrezatimit bërthamor. Kryeministri aktual Fumio Kishida është nga Hiroshima, ku Shtetet e Bashkuara hodhën një bombë atomike, dhe ai po kërkon ndërtimin e një "bote pa armë bërthamore" me synimin për paqe. Në rrethana të tilla, nxitja prej qeverisë japoneze e zbatimit të planit të asgjësimit të ujërave të ndotura bërthamore është si një shuplakë në fytyrë.
Vlen të përmendet që pavarësisht kritikave globale, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për planin e asgjësimit të ujërave të ndotura bërthamore të Japonisë për nevojat e veta strategjike. Ky është gjithashtu një faktor i jashtëm i rëndësishëm pse Japonia nuk ka frikë të vijojë me këmbëngulje vendimet e gabuara.
Japonia dhe Shtetet e Bashkuara po dëmtojnë mjedisin ekologjik dhe shëndetin e njeriut. Aktualisht, shumë vende, duke përfshirë Kinën dhe Korenë e Jugut, kanë shprehur kundërshtim të fortë ndaj shpalljes së njëanshme të Japonisë të planit të shkarkimit të ujërave të ndotura bërthamore. Misioni i grupit teknik të punës të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për asgjësimin e ujërave të zeza bërthamore të Fukushimës është gjithashtu në vazhdim.
Pala japoneze e ka marrë vendimin në mënyrë të njëanshme pa bërë përpjekje për të marrë më shumë masa sigurie, pa publikuar plotësisht informacionin përkatës, pa negociuar plotësisht me vendet fqinje e institucionet ndërkombëtare dhe pa miratimin e brendshëm dhe ndërkombëtar. A mos duke vijuar në rrugën e vet, dëshiron të bëhet mëkatare historike?







