
Foto:VCG
Më shumë se 11.000 emigrantë ilegalë kanë hyrë në Gjermani këtë vit, përmes Polonisë, nga Bjellorusia, bën të ditur policia gjermane.
Bashkimi Evropian akuzon liderin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, se është duke marrë emigrantët nga Lindja e Mesme dhe po i shtyn drejt kufijve me Poloninë dhe Letoninë e Lituaninë, në kuadër të një “sulmi hibrid" që shihet si hakmarrje ndaj sanksioneve të Perëndimit.
Shumica e emigrantëve ilegalë synojnë të arrijnë në Gjermani, vend i cili ka rritur kontrollet kufitare me Poloninë në muajt e fundit.
Policia federale e Gjermanisë, përmes një deklarate, njoftoi se ka regjistruar 11.162 hyrje ilegale të lidhura me Bjellorusinë këtë vit, kryesisht në periudhën gusht-nëntor, citon “Radio Evropa e Lirë”.
Policia njofton se aktualisht është duke rënë trendi i kalimeve ilegale të kufijve, pasi në dhjetor janë regjistruar 470 raste në krahasim me mbi 8000 në tetor dhe nëntor.
Nën ligjin gjerman, emigrantët që aplikojnë për azil mund të qëndrojnë në këtë shtet derisa janë në pritje të analizimit të aplikacionit nga autoritetet. Numri në rënie i emigrantëve që kanë kaluar kufirin në dhjetor mund të jetë reflektim i ndryshimit të politikave ndaj Bjellorusisë, pasi regjimi i Lukashenkos është goditur me paketën e pestë të sanksioneve, të cilat kanë prekur edhe shtetet e treta, me qëllim të ndaljes së valës së emigrantëve. (Elona)







