foto nga VCG

foto nga VCG

Në përgjigje të komenteve të fundit të zyrtarëve të BE-së lidhur me Kinën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian vuri në dukje në një konferencë të rregullt shtypi të martën se Kina dhe BE-ja mund t’i zgjidhin vështirësitë vetëm me partneritet, ndërsa rivaliteti mund të krijojë vetëm vështirësi.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell deklaroi në uebsajtin e Agjencisë Evropiane të Veprimit të Jashtëm se Bashkimi Evropian mban një pozicion të qëndrueshëm për çështjet që lidhen me Kinën dhe e trajton Kinën si një partnere, konkurrente dhe kundërshtare institucionale në të njëjtën kohë. Borell-i deklaroi gjithashtu se e ashtuquajtura "gjendje e përkeqësuar e të drejtave të njeriut" në Kinë, sanksionet ndaj anëtarëve të Parlamentit Evropian e institucioneve zyrtare të BE-së dhe i ashtuquajturi "shtrëngim" kundër Lituanisë kanë pasur të gjitha një ndikim negativ në marrëdhëniet BE-Kinë. Duke iu përgjigjur pyetjes përkatëse, Zhao Lijian theksoi:

"Këtë vit marrëdhëniet Kinë-BE kanë hasur në disa pengesa dhe vështirësi. Arsyeja kryesore është se pala evropiane këmbënguli në vendosjen e sanksioneve të njëanshme e të paligjshme ndaj Kinës bazuar në deklarata e informacione të rreme. Kjo shkaktoi një situatë që të dyja palët nuk donin ta shikonin dhe mësimet e nxjerra prej saj janë shumë të thella. Më 2019 BE-ja nxori dokumentin e politikave lidhur me Kinën, që e konsideron Kinën si një partnere, konkurrente dhe kundërshtare institucionale. Se çfarë ndikimi ka kjo në marrëdhëniet Kinë-BE dhe në botë, për këtë duhet të ketë reflektim nga ana e BE-së. "

Zëdhënësi vuri në dukje më tej se Kina dhe Bashkimi Evropian janë dy forca të pavarura në botë, që kanë konsensus të gjerë strategjik dhe interesa të përbashkët. Bashkëpunimi mes dy palëve është shumë më i madh se konkurrenca, dhe konsensusi është shumë më i madh se dallimet.