Foto: vestnikkavkazanet

Foto: vestnikkavkazanet

Rusia do të ketë fillimisht bisedime me SHBA-në mbi kërkesat e saj për garanci për përfundimin e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes përpara një takimi të propozuar më 12 janar midis Aleancës dhe Moskës zyrtare, deklaroi ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, njofton “Bloomberg”.

“Ne do të mbajmë raundin kryesor të negociatave me SHBA-në, që do të zhvillohet menjëherë pas përfundimit të festave të Vitit të Ri”, tha Lavrov për “Soloviev Live”. Kryediplomati rus tha se vendi i tij nuk po i paraqet SHBA-së asnjë ultimatum, por gjithashtu nuk do të pranojë bisedime të pafundme mbi kërkesat e saj për premtime ligjërisht të detyrueshme që Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut do të ndalojë zgjerimin e mëtejshëm dhe do të tërheqë forcat në postet që mbajtën në vitin 1997.

Presidenti Vladimir Putin javën e kaluar në konferencën vjetore për shtyp vlerësoi atë që ai e përshkroi si një përgjigje pozitive të SHBA ndaj propozimeve ruse. Të dielën, ai tha se do të vepronte sipas rekomandimeve të ekspertëve të tij ushtarakë në shqyrtimin e përgjigjeve nëse bisedimet me SHBA-në dhe NATO-n dështojnë.

SHBA-ja ka paralajmëruar aleatët evropianë se një grumbullim masiv ushtarak rus pranë Ukrainës që nga nëntori mund të jetë përgatitje për një pushtim që në fillim të muajit të ardhshëm. Rusia mohon planet për një operacion ushtarak, por ka paralajmëruar NATO-n mos të kalojë vijat e kuqe duke vendosur armë sulmuese në Ukrainë. (Fatosi)