Foto: Visual People

Foto: Visual People

Franca do të ketë masa të reja anti-Covid, ndërsa vendi po përgatitet për një rritje të re të rasteve për shkak të variantit Omicron që përhapet me shpejtësi, njofton “AFP”.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se spitalet sërish rrezikojnë të mbingarkohen pasi të shtunën u raportuan 100.000 raste, niveli më i lartë ditor në Francë që nga fillimi i pandemisë gati dy vjet më parë.

Ekspertët shëndetësorë kanë vlerësuar se numri i rasteve ditore mund të rritet me shpejtësi nga mesi i janarit, edhe pse miliona njerëz kanë marrë vaksina përforcuese në javët e fundit.

Gati 3300 njerëz janë aktualisht në kujdes intensiv, përsëri mbi pragun e krizës prej 3000 të vendosur nga autoritetet për trajtimin e rasteve më të këqija.

Disa mjekë kanë sugjeruar edhe një shtetrrethim për natën e ndërrimit të viteve, ndërsa një grup punonjësish shëndetësorë kërkojnë shtyrjen e hapjes së shkollave pas pushimeve, të përcaktuar për më 3 janar. (Fatosi)