
ilaci Paxlovid, Fda, zeri i amerikes
Kompania farmaceutike “Pfizer Inc” njoftoi se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave në SHBA ka dhënë miratimin për përdorim në raste urgjente të ilaçit të saj antiviral kundër Covid-19. Ky është trajtimi i parë që mund të merret në shtëpi e që pritet të bëhet një mjet i rëndësishëm në luftën kundër përhapjes me shpejtësi të variantit Omicron, përcjell “Zëri i Amerikës”.
Provat klinike të Pfizer-it treguan se ilaçi i quajtur Paxlovid ishte 90% efektiv në parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjeve te pacientët me rrezik të lartë për t'u prekur rëndë nga sëmundja.
Të dhënat e fundit laboratorike sugjerojnë se ilaçi e ruan efektivitetin e tij edhe ndaj variantit Omicron.
FDA njoftoi se e autorizoi ilaçin për trajtimin e rasteve të lehta dhe mesatare të sëmundjes për personat nga 12 vjeç e lart, të cilët janë në rrezik të lartë të preken nga format e rënda të sëmundjes.
Ilaçi merret vetëm me recetë dhe trajtimi me të duhet të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur pas diagnostikimit me COVID-19 ose brenda pesë ditëve nga fillimi i simptomave. (Irma)







