Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia është e gatshme të ndërmarrë masa ushtarake-teknike në përgjigje të veprimeve jomiqësore të Perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë.

Putin për javë të tëra ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n se kanë nxitur rritjen e tensioneve në afërsi të kufijve të Rusisë, por këto janë deklaratat e para që lënë të kuptohet për një konflikt të mundshëm, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

“Në rast të vazhdimit të qëndrimit, dukshëm agresiv, të kolegëve tanë perëndimorë, ne do të ndërmarrim masa e duhura ushtarake-teknike”, -tha Putini gjatë një takimi në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë, duke shtuar se Rusia do të reagojë ashpër ndaj hapave jomiqësorë.

Që prej mesit të muajit nëntor, Shtetet e Bashkuara kanë ngritur alarmin se Rusia mund të jetë duke përgatitur një sulm të shkallës së gjerë në Ukrainë dhe e ka paralajmëruar Putinin se në rast se do të ndodhë një gjë e tillë, Moska zyrtare do të përballet me sanksione të paprecedenta.

Qeveritë Perëndimore e kanë akuzuar Rusinë se ka grumbulluar rreth 100.000 trupa pranë kufirit në lindje të Ukrainës, ku Kievi po lufton me separatistët pro-rusë që prej vitit 2014.

Rusia mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën dhe po kërkon garanci të sigurisë nga SHBA-ja dhe NATO-ja, duke kërkuar që Aleanca mos të zgjerohet nga lindja. (Elona)