
Më shumë se 160 emigrantë humbën jetën në dy anije të ndara në brigjet e Libisë gjatë javës së kaluar, njoftoi zëdhënësja e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM), Safa Msehli, transmeton “Anadolu Agency”.
Ajo tha se të paktën 102 emigrantë u mbytën pasi varka e tyre prej druri u përmbyt afër Libisë të premten.
Msehli konfirmoi se të paktën 8 persona u shpëtuan dhe u kthyen në breg. “Tri ditë më vonë, Roja Bregdetare libiane nxori të paktën 62 trupa emigrantësh nga një tjetër përmbytje", -tha Msehli.
Sipas saj, një tjetër anije me të paktën 210 emigrantë u kap dhe u kthye në Libi. "Rreth 1500 emigrantë humbën jetën këtë vit", -tha Msehli.
Rreth 31.500 emigrantë janë kthyer në Libi në vitin 2021, krahasuar me pothuajse 11.900 emigrantë vitin e kaluar, sipas të dhënave të IOM.
Sipas agjencisë së OKB-së, rreth 980 emigrantë kanë humbur jetën vitin e kaluar. (Elona)







