
Mbi 12 mijë raste të tjera Omicron janë regjistruar në Britani, rritja më e madhe ditore që nga zbulimi i variantit të COVID-19 në vend, duke e çuar numrin total të rasteve Omicron në 37.101 persona, njoftoi Agjencia e Sigurisë Shëndetësore, së cilës i referohet “Xinhua”.
Mbretëria e Bashkuar raportoi 82.886 raste me koronavirus në periudhën e fundit 24-orëshe, duke e çuar totalin në 11.361.387, sipas shifrave zyrtare të publikuara të dielën.
Numri i rasteve të konfirmuara është në rënie krahasuar me të shtunën, 90.418. Megjithatë, shifrat janë përgjithësisht më të ulëta gjatë fundjavës. Të premten, Britania raportoi një rekord të lartë prej 93.045 rastesh të konfirmuara.
Vendi regjistroi 45 vdekje të tjera të lidhura me koronavirusin. Numri i përgjithshëm i vdekjeve të lidhura me koronavirusin në Britani tani është 147.218, me 7611 pacientë Covid ende në spital.
Shifrat e fundit erdhën pasi sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid tha se varianti i ri po përhapet shumë shpejt, edhe më shumë sesa sugjerojnë shifrat.
Ndërkohë, shkencëtarët këshillues të qeverisë britanike kanë paralajmëruar se nevojiten kufizime shtesë, brenda ditësh, për të parandaluar që spitalet të mbingarkohen nga Omicron. (Fatosi)







