Qeveritë e shteteve të Bashkimit Evropian riafirmuan premtimin e tyre për të lejuar gjashtë vendet e Ballkanit që një ditë t'i bashkohen Bllokut, duke e shtyrë BE-në drejt hapjes përfundimisht të bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, raporton “Reuters”.

“Këshilli i Evropës ripohon përkushtimin e tij për zgjerimin, i cili mbetet një politikë kyçe e Bashkimit Evropian dhe përsërit mbështetjen e qartë të BE-së për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, -thanë 27 ministrat e Çështjeve Evropiane të bllokut në një deklaratë politike.

Një vit më parë, qeveritë e BE-së nuk ishin në gjendje të binin dakord për një deklaratë që duhej të nxiste strategjinë e BE-së për të sjellë gjashtë kandidatët për anëtarësim. Negociatat për një qëndrim të përbashkët të BE-së vijuan edhe këtë vit, pasi shtetet e BE-së shqetësoheshin për përsëritjen e pranimit të nxituar të Rumanisë dhe Bullgarisë në 2007 dhe emigrimin e keqadministruar të punëtorëve të Evropës Lindore në Britani, që ktheu shumë britanikë kundër BE-së.

Qeveria e re e Bullgarisë, e cila u miratua të hënën, duhet ende të heqë veton e paraardhësit të saj për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut dhe të zgjidhë një mosmarrëveshje mbi historinë dhe gjuhën.

Përparimi i Shqipërisë është zyrtarisht i lidhur nga BE-ja me Maqedoninë e Veriut. “Këshilli pret me padurim mbajtjen sa më të shpejtë të konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratë, duke iu referuar bisedimeve për anëtarësim. (Irma)