Konferenca e Bashkëpunimit të Inovacionit Kinë-Afrikë 2021 u hap të dielën në Wuhan, kryeqendra e provincës Hubei të Kinës qendrore, njofton “Xinhua”.

Konferenca synon të fokusohet në zbatimin e Nismës “Një brez, një rrugë” dhe të promovojë ndërtimin e përbashkët të një komuniteti Kinë-Afrikë me një të ardhme të përbashkët.

Eventi dyditor përfshin një sërë aktivitetesh online dhe me prani fizike, po ashtu edhe një forum, një ekspozitë të rezultateve të bashkëpunimit të inovacionit dhe një sallon inovacioni të talenteve të rinj afrikanë.

Në ceremoninë e hapjes së konferencës u nënshkruan gjithsej 15 projekte bashkëpunimi shkencor dhe teknologjik me shumë vende afrikane.

Konferenca u organizua nga Ministria kineze e Shkencës dhe Teknologjisë dhe autoritetet lokale të provincës Hubei. Përfaqësues të mbi 20 vendeve afrikane dhe disa të rinj afrikanë, studiues dhe studentë në Wuhan morën pjesë në ceremoninë e hapjes.

Hubei ka arritur rezultate të frytshme në bashkëpunimin dhe shkëmbimet me vendet afrikane në fusha duke përfshirë shkencën dhe teknologjinë, kapacitetin industrial dhe kulturën. (Fatosi)