
Papa Françesku deklaroi se deti Mesdhe, djepi i shumë civilizimeve, po kthehet në varrezë të ftohtë pa gurë varri. Ai akuzoi shurdhërinë ndaj nevojave të të tjerëve, indiferencën vdekjeprurëse dhe mosinteresimin cinik.
Gjatë vizitës në Lesbos, të Greqisë, ku ndodhet një ndër kampet e refugjatëve që vijnë përmes detit, papa Françesku kritikoi mungesën e angazhimit të evropianëve për të ndihmuar refugjatët dhe emigrantët, përcjell “Deutsche Welle”.
"Ne duhet të pranojmë me hidhërim, se ky vend ashtu si vendet e tjera, ndodhet nën presion dhe se në Evropë po shtohen njerëzit që bëjnë sikur ky problem nuk ka të bëjë me ta", -tha Ati i Shenjtë, duke e cilësuar Kontinentin e Vjetër të lodhur dhe pa fuqi, që prej kohësh ka humbur mikpritjen tradicionale dhe rrënjët e tij.
Ndërsa, në lidhje me vaksinimin, papa tha se kjo është një çështje e madhe që kërkon përkushtimin e të gjithëve, pasi në botën e sotme nuk mjaftojnë zgjidhjet e pjesshme. (Irma)







