
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Thomas Bach tha të mërkurën se Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 nuk duhet të përdoren për të rritur tensionet globale, duke shtuar se pjesëmarrja e sportistëve është një konsensus mbarëbotëror.
Bach shprehu shqetësim lidhur me pjesëmarrjen e sportistëve, pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan që nuk do të dërgonin zyrtarë qeveritarë për të marrë pjesë në “Pekin 2022” me pretekstin e të drejtave të njeriut. Ai mirëpriti mbështetjen për ekipet olimpike, duke u dhënë sportistëve siguri në konferencën digjitale për shtypin pas mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të KON-it të mërkurën.
“Kjo është në përputhje të plotë me miratimin me konsensus nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së që mbështesin Rezolutën e Armëpushimit Olimpik”, tha presidenti 67-vjeçar. "Prania e zyrtarëve qeveritarë është një vendim politik. Do të zbatohet asnjanësia politike dhe KON-i nuk do të mbajë anë."
Sipas Bach, KON-i i organizon olimpiadat për të bashkuar botën, jo për ta ndarë atë. Ai mori si shembull lojërat olimpike të lashtësisë për të treguar se ndërhyrja politike vetëm sa do t'i shkatërronte dhe do t'u jepte fund këtyre lojërave.
"Ne po jetojmë në këtë botë konfrontuese, të përçarë, ku tensionet po rriten. Nëse edhe lojërat do të nxitnin këto tensione, kjo do të ishte absolutisht në kundërshtim me misionin tonë," tha Bach. (Artan)







