
Foto nga VCG
Tel Avivi është qyteti më i shtrenjtë në botë për të jetuar, pasi inflacioni në rritje dhe problemet e zinxhirit të furnizimit kanë rritur çmimet globalisht.
Qyteti izraelit doli në krye për herë të parë në një sondazh nga “Economist Intelligence Unit” (EIU), duke u ngjitur nga vendi i pestë vitin e kaluar dhe duke e shtyrë Parisin në vendin e dytë së bashku me Singaporin, bën të ditur “BBC”.
Damasku, në Sirinë e shkatërruar nga lufta, ruajti vendin e tij si më i liri në botë. Anketa krahason kostot në dollarë amerikanë për mallra dhe shërbime në 173 qytete.
EIU njoftoi se të dhënat e mbledhura në gusht dhe shtator treguan se mesatarisht çmimet u rritën 3.5% në terma të monedhës vendase, norma më e shpejtë e inflacionit e regjistruar gjatë pesë viteve të fundit.
Transporti ka shënuar rritjet më të mëdha të çmimeve, ku kostoja e një litri benzinë është rritur mesatarisht me 21% në qytetet e studiuara.
Ngjitja e Tel Avivit në krye të renditjes së kostos botërore të jetesës të EIU reflektoi kryesisht rritjen e vlerës së monedhës izraelite kundrejt dollarit. Çmimet lokale të rreth 10% të mallrave gjithashtu u rritën ndjeshëm, veçanërisht për produktet ushqimore. (Elona)







