
Një 15-vjeçar ka vrarë tre nxënës dhe ka plagosur tetë të tjerë, përfshirë një mësues, ndërsa hapi zjarr me armë në një shkollë të mesme në shtetin amerikan të Miçiganit. Viktimat janë 14, 16 dhe 17 vjeç, por zyrtarët, nuk e dinë nëse ata ishin në shënjestër, raporton “BBC”.
Policia pretendon se i dyshuari, një nxënës në shkollë, përdori një pistoletë që babai i tij e kishte blerë të premten. Gjatë arrestimit të adoleshentit nuk pati shkëmbim zjarri dhe ai vetë nuk është plagosur.
Mësohet se ai ka qëlluar 15 deri në 20 plumba. Autoritetet thonë se e gjithë ngjarja zgjati vetëm 5 minuta, kohë e mjaftueshme megjithatë për të marrë tre jetë të pafajshme.
I dyshuari nuk i dha asnjë deklaratë policisë dhe kërkoi të drejtën e tij për një avokat pasi u këshillua nga prindërit e tij mos të fliste. I fundit në një sërë incidentesh me armë zjarri në shkollat amerikanë, ky episod ka të ngjarë të rizgjojë debatet rreth kontrollit të armëve dhe shëndetin mendor, në kushtet kur shumë shtete lejojnë qasje të lehtë tek armët e zjarrit. (Elona)







