
Takimi i 45-të vjetor i Ministrave të Punëve të Jashtme të Grupit 77 dhe Kinës u mbajt virtualisht të martën. Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, mori pjesë në takim.
Në fjalën e tij, Zhang vlerësoi Republikën e Guinesë për udhëheqjen e Grupit këtë vit dhe uroi Pakistanin për marrjen e kryesimit të Grupit për vitin 2022.
Zhang theksoi se ndërsa pandemia e COVID-19 ka çuar në zgjerimin e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve dhe në pabarazinë e vaksinave, Grupi 77 dhe Kina duhet të forcojnë solidaritetin dhe të krijojnë një mjedis të shëndetshëm për vendet në zhvillim, që të përshpejtojnë rimëkëmbjen pas pandemisë dhe të zbatojnë Agjendën 2030.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për t'u dhënë përparësi çështjeve të zhvillimit. Grupi 77 dhe Kina duhet të mbështesin konceptin e zhvillimit të përqendruar te njerëzit, t’u japin përparësi çështjeve të zhvillimit në bashkërendimin global të makropolitikave, të rrisin investimet në fushën e zhvillimit dhe të zgjidhin problemet e varfërisë së skajshme, sigurisë ushqimore dhe rimëkëmbjes ekonomike, tha Zhang.
Përveç kësaj, ai theksoi rëndësinë e multilateralizmit. Vendet në zhvillim duhet të mbrojnë me vendosmëri sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb, të ruajnë një rend ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të kundërshtojnë unilateralizmin, proteksionizmin dhe ngacmimin. Vendet e zhvilluara duhen nxitur që të përmbushin angazhimet e tyre për të ofruar mbështetje financiare, teknike dhe për forcimin e kapaciteteve për vendet në zhvillim.
Ai i kërkoi gjithashtu Grupit 77 dhe Kinës të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin Jug-Jug, të rrisin besimin e ndërsjellë politik, të forcojnë përplotësimin strategjik, të kryejnë bashkëpunim praktik në fusha të ndryshme dhe të rrisin kapacitetet për zhvillim të pavarur.







