
Japonia ka konfirmuar rastin e parë të infektuar me variantin Omicron të Covid 19 në vend, tha të martën qeveria japoneze.
Personi i infektuar është një burrë rreth të 30-ave që është kthyer nga Namibia, i cili rezultoi pozitiv me Covid 19 pas mbërritjes në aeroportin ndërkombëtar Narita afër Tokios, raporton “Xinhua”.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se burri nuk kishte simptoma kur ishte në aeroport, ndërsa dy anëtarë të familjes që udhëtonin me të kanë rezultuar negativë dhe janë karantinuar në një strukturë të caktuar nga qeveria.
Kryeministri Fumio Kishida u takua me anëtarët e kabinetit, përfshirë ministrin e Shëndetësisë Shigeyuki Goto, për të diskutuar se si qeveria do t'i përgjigjet zbulimit të llojit Omicron në Japoni.
Të hënën, Kishida njoftoi se qeveria do të ndalojë në parim hyrjen e të gjithë shtetasve të huaj. Ai u zotua të veprojë shpejt ndaj shqetësimeve në lidhje me variantin e ri Omicron të Covid 19.
Ndalimi i vizitorëve të huaj nisi të martën dhe do të zgjasë për rreth një muaj, gjatë të cilit shtetasve japonezë dhe të huajve me status rezidenti që kthehen nga zonat me rrezik të lartë u kërkohet të karantinohen deri në 10 ditë në një strukturë të caktuar nga qeveria. (Elona)







