
Varianti Omicron është shumë i transmetueshëm dhe kërkon veprim urgjent, paralajmëruan ministrat e Shëndetësisë të vendeve të G7-s, pas një takimi urgjent të thirrur nga Londra.
“Komuniteti ndërkombëtar po përballet me kërcënimin e një varianti të ri shumë të transmetueshëm të Covid 19, që kërkon veprim urgjent”, -thanë ministrat në një deklaratë të përbashkët në fund të takimit, citon “AFP”.
Ministrat vlerësuan punën shembullore të Afrikës së Jugut, që ishte në gjendje të zbulonte variantin dhe të paralajmëronte të tjerët.
Vendet e G7-s kanë njohur gjithashtu rëndësinë strategjike të sigurimit të aksesit në vaksina duke përgatitur vendet për të marrë doza, duke ofruar ndihmë operacionale, duke ndjekur angazhimet për donacione, duke luftuar keqinformimin për vaksinat, si edhe duke mbështetur kërkimin dhe zhvillimin.
G7-a angazhohet më tej që të vazhdojë të punojë ngushtë me OBSH-në dhe partnerët ndërkombëtarë për të shkëmbyer informacion dhe për të monitoruar Omicron.
Lista e vendeve ku po zbulohet Omicron vazhdon të rritet, veçanërisht në Evropë, pas rasteve të para të zbuluara në Afrikën Jugore në nëntor, duke bërë që shumë shtete të pezullojnë udhëtimet në këtë rajon dhe të vendosin kufizime parandaluese. (Elona)







