
Anëtarët e OBSH-së kanë rënë dakord të nisin negociatat për të krijuar një instrument ndërkombëtar për të parandaluar dhe luftuar më mirë pandemitë e ardhshme që do të vijnë.
“Pas negociatave të gjata, shtetet anëtare të OBSH-së kanë rënë në mënyrë joformale dakord të fillojnë negociatat për një traktat të pandemive”, -njoftoi misioni i Bashkimit Evropian në “Twitter”.
“Ngjarjet e javëve të fundit tregojnë më shumë se kurrë nevojën për solidaritet dhe udhëheqje globale. Ne presim që liderët botërorë të shfaqin angazhimin e tyre të përbashkët. Erdhi momenti, bota duhet të përgatitet më mirë”, -shtoi organizata.
Projektmarrëveshja parashikon krijimin e një organi negociues ndërqeveritar, i hapur për të gjitha shtetet anëtare dhe anëtarët e asociuar për të hartuar dhe negociuar një konventë, marrëveshje ose instrument tjetër ndërkombëtar të OBSH-së për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemive. (Elona)







