“Toyota Motor Corp.” e Japonisë njoftoi se prodhimi i saj global u ul me 25.8 për qind në tetor nga viti në vit në 627.452 automjete, ndërsa vazhdoi ndikimi i krizës së pjesëve, njoftuan mediat lokale, bën të ditur “Xinhua”.

Raportet thanë se shitjet globale të kompanisë ranë 20.1 për qind në 677.564 njësi me shumë dërgesa të shtyra të automjeteve.

Pas një rënie prej 39.1 për qind në bazë vjetore në shtator, prodhuesi kryesor japonez i automjeteve regjistroi rënien e tretë radhazi në prodhimin global.

Ndërkohë, prodhimi i brendshëm i “Toyota”-s në tetor u ul 50.9 për qind nga një vit më parë në 151.918 njësi, gjithashtu në rënie për muajin e tretë radhazi.

“Toyota” dhe prodhuesit e tjerë japonezë të makinave janë detyruar të reduktojnë prodhimin për shkak të mungesës globale të çipave dhe të pjesëve të tjera të shkaktuara nga mbylljet e fabrikave në Azinë Juglindore për shkak të Covid-19.

Toyota u përpoq të lehtësonte ndikimin e ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit duke prodhuar pjesë në zona të tjera, por prodhimi i saj ishte ende shumë nën planin e saj prej 880,000 njësive.

Megjithatë, prodhuesi i automjeteve njoftoi se planet e prodhimit nga nëntori e tutje pritet të jenë në nivele të larta, pasi kufizimet mbi aktivitetet ekonomike në Azinë Juglindore janë lehtësuar kohët e fundit. (Fatosi)