
“Për të vaksinuarit do të jetë një krishtlindje normale”. Kjo ishte deklarata e bërë nga kryeministri italian Mario Draghi, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të dekretit që parashikon vendosjen nga 6 dhjetori-15 janar të të ashtuquajturës “Super Green Pass”, të vlefshme vetëm për personat e vaksinuar ose të shëruar nga Covid-19, citon “Ansa”.
Edhe në zonat e bardha, tamponi do të mjaftojë për të shkuar në punë ose në transportin publik, por jo për të hyrë në bare, restorante apo palestër.
Në rajonet që kalojnë në zonën e verdhë ose portokalli, kufizimet do të zbatohen vetëm për të pavaksinuarit.
Gjithashtu, ka një shtrëngim të kontrolleve dhe detyrimin për të vaksinuar edhe për të gjithë personelin e shkollave dhe forcave të rendit, si dhe për kujdesin shëndetësor.
Vendimi shërben për të shpëtuar festat e fundvitit, për të parandaluar rritjen e infeksioneve, për t’i dhënë siguri operatorëve turistikë dhe të gjitha aktiviteteve ekonomike.
“Duam të mbajmë normalitetin që kemi fituar deri tani, nuk duam rreziqe, duam të vazhdojmë të jemi të hapur, të dalim e të argëtohemi, të blejmë, të luftojmë varfërinë, të kemi fëmijë të lumtur në shkollë”, -tha Draghi. (Irma)







