
Rajoni i Katalonjës planifikon të vendosë masa të reja për t’u përballur me pandeminë, siç është demonstrimi i detyrueshëm i një certifikate vaksinimi ose një test negativ për Covid 19 për hyrjen e qytetarëve në bare, restorante dhe stadiume. Kufizime të ngjashme po konsiderohen nga rajone të tjera për të frenuar valën e infeksioneve të reja.
Numri i infeksioneve të reja në Spanjë, një vend ku 79% e popullsisë është vaksinuar plotësisht, mbetet shumë nën nivelet e regjistruara në Austri dhe Holandë, por autoritetet thonë se ekziston rreziku që situata së shpejti të dalë jashtë kontrollit, sipas “Fourals.com”.

Zëdhënësja e qeverisë katalanase, Patricia Placha, u tha gazetarëve se autoritetet do të kërkonin miratimin gjyqësor për të përdorur certifikatën e sëmundjes/vaksinimit për të ulur rrezikun e infeksionit dhe për të parandaluar mbingarkimin e sistemit shëndetësor.
Për shkak se këto certifikata konsiderohen se kufizojnë liritë themelore civile, kërkohet që të përdoret në këtë mënyrë miratimi i autoriteteve gjyqësore vendore.
Katalonja ka regjistruar mesatarisht 183 raste për 100.000 banorë në 14 ditët e fundit, shumë mbi mesataren kombëtare (132 për 100.000 banorë) dhe pragun 150/100.000 mbi të cilin një zonë konsiderohet “me rrezik të lartë”. Certifikata përdoret tashmë që klientët të hyjnë në klubet e natës.
Nëse miratohen, këto kufizime mund t’i japin fund shpresave të Spanjës për të tërhequr miliona turistë për festat e krishtlindjes. Qeveria, megjithatë, ruan optimizmin e saj se turizmi do të arrijë në 66% të nivelit të viteve të kaluara në tremujorin e katërt të vitit. (Elona)








