Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për të ndërmarrë masa të menjëhershme për të forcuar sistemin e bankave në Afganistan, shkruan “RTSH”. Njerëzit nuk janë më në gjendje të paguajnë kreditë e tyre dhe mungesa e likuiditetit mund të çojë në rrëzimin e sistemit financiar.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim nënvizon se kostoja për ekonominë afgane dhe shoqërinë nga kolapsi do të ishte kolosale. Ndërprerja e rrjedhës më të madhe të ndihmës për zhvillim ndërkombëtar që kur talebanët rimorën pushtetin në Afganistan, shkaktoi një rënie të lirë të ekonomisë. “Sistemi financiar dhe bankar i Afganistanit është në gjendje të vështirë. Problemi i tërheqjes masive të depozitave duhet të zgjidhet shpejt për të përmirësuar produktivitetin e kufizuar të vendit dhe për të parandaluar kolapsin e sistemit bankar. “Koordinimi me institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat kanë përvojë të gjerë në sistemin financiar afgan, do të jetë vendimtar në këtë proces”, -theksohet në raport.

Së fundi Kina ka dërguar 1000 tonë produkte me ndihma humanitare në Afganistan. Sipas lajmit të agjencisë “Xinhua”, një tren mallrash me 50 kontejnerë me veshje, ushqime dhe produkte të nevojës është nisur nga Rajoni Autonom Xinjiang Ujgur. Që kur talebanët morën pushtetin Kina ka dërguar në afganistan afro 2600 tonë ndihma humanitare. (Fatosi)