Treguesit e ulët të konkurrueshmërisë, krahasuar me vendet e tjera dëshmojnë për një nivel të dobët të produktivitetit të ekonomisë shqiptare. Në këtë përfundim arrijnë një grup ekspertësh shqiptarë të cilët kanë publikuar edhe në studim sa i përket produktivitetit në ekonominë tonë. Programi «Economy for All» është një iniciativë e Fondacionit «Friedrich Ebert», që synon të ridimensionojë rolin e aktorëve ekonomikë dhe shoqërorë për të hedhur bazat e krijimit të një modeli të ri social-ekonomik.

Evidentohet se vendi ka një mungesë të theksuar të dijes produktive, që përbën dhe faktorin kryesor të rritjes ekonomike nëpërmjet zhvillimit të produkteve dhe sektorëve të rinj. Ky nivel modest produktiviteti mund të jetë pasojë e niveleve të ulta të investimeve në teknologji dhe kapital njerëzor dhe eficiencës me të cilën përdoren këto burime të kufizuara ekonomike.
Po kështu, Indeksi i Kompleksitetit Ekonomik e rendit Shqipërinë disa shkallë më poshtë se vendet e rajonit, duke dëshmuar se vendi ka një mungesë të theksuar të dijes produktive, që përbën dhe faktorin kryesor të rritjes ekonomike nëpërmjet zhvillimit të produkteve dhe sektorëve të rinj.
Gjatë tri dekadave të tranzicionit, vendi ka investuar burime të rëndësishme financiare në importimin e makinerive dhe pajisjeve, kryesisht me origjinë nga vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian. Biznesi shqiptar është relativisht i ri dhe, për pasojë, edhe teknologjitë në pjesën më të madhe i përkasin periudhës pas viteve 2000.

Prof. Selami Xhepa (Panorama)
Pas anketimeve në terren rezulton se pesha më e madhe e investimeve në teknologji ka shkuar vetëm në sektorët tradicionalë dhe për prodhimin e produkteve tradicionale. Investimet nuk e kanë transformuar strukturën prodhuese të vendit dhe kalimin drejt industrive të niveleve të larta të vlerës së shtuar dhe produktivitetit të lartë. Investimet në sektorët e industrisë nxjerrëse, metaleve dhe të energjisë elektrike u dedikohen politikave aktive qeveritare për të mbështetur kapitalin privat, veçanërisht atë të huaj, në këta sektorë.
Sektorët me më shumë investime në teknologji kanë treguar një nivel produktiviteti prej 50% deri në dy herë më të lartë se niveli mesatar i produktivitetit të ekonomisë. Ndërsa në sektorët ku ka pasur më pak investime, produktiviteti qëndron rreth 30-80% më i ulët se produktiviteti mesatar i ekonomisë.

Kjo do të thotë se investimi shpërblen dhe se është në interes të firmave që dëshirojnë të sigurojnë norma më të larta fitimi të angazhohen në një proces investimesh modernizuese të teknologjisë dhe dijes. Selami Xhepa, një nga ekspertët që ka qenë pjesë e studimit thotë “Çështja e produktivitetit prej vitesh vazhdon që të mbetet një nga shqetësimet madhore edhe për ekonominë botërore” .
“Sepse progresi teknologjik, megjithëse po jetojmë në kufijtë e fantashkencës dhe i famshmi revolucioni i katërt industrial ka bërë përmbysje dramatike në kuptimin e funksionimit të ekonomisë dhe shoqërisë, por siç e thotë një profesor i madh “Këtë teknologji e shohim gjithandej, por vetëm tek produktiviteti jo.” Pra, impakti që ka ky revolucion teknologjik në produktivotetin e shoqërisë ka ardhur me ritme shumë më të ulëta sesa në fazat më të hershme të progresit të teknologjisë. Nga kjo pikëpamje është edhe një shqetësim i përgjithshëm i shoqërisë që ekonomia botërore ka hyrë në një fazë ku nivelet e rritjes së produktivitetit kanë qenë shumë të ulëta, por nivelet e rritjes së produktivitetit përcaktojnë nivelin e rritjes së ekonomisë kombëtare. Kështu që një ekonomi mund të rritet shumë në sajë të rritjes së produktivitetit, me sa produktivitet përdorim ne faktorët e prodhimit qoftë punën, qoftë kapitalin. Teknologjia që është mishërim i dijes dhe për pasojë i të dy këtyre elementëve është edhe faktori fondamental. Në kontekstin e ekonomisë sonë duke qenë se jemi një ekonomi shumë larg atij kufirit teknologjik në të cilin ndodhet sot bota, ky është një problem akoma më serioz për arsye se po qe se do të krahasojmë nivelin e produktivitettit të ekonomisë sonë me vendet e rajonit, ekonomia jonë duket se është në një fazë goxha primitive.” – thotë prof.Xhepa.
Anketimet tregojnë se vetë biznesi është i ndarë për sa i takon interesit investues për të qenë më konkurrues në tregje. Dy drejtimet kryesore të investimeve që ata shohin me prioritet janë investimet në teknologji të reja dhe në zhvillim produktesh të reja. Problemi kryesor që ata evidentojnë në pamundësinë për investime lidhet me aksesin në financa. Shqetësuese janë dy gjetje të studimit: investimet në burime njerëzore nuk konsiderohen po aq të rëndësishme sa ato në teknologji dhe në zhvillim produktesh.
“Ndër indikatorët më të rëndësishëm që ne kemi matur janë indikatorë që njihet gjerësisht, por ndoshta një indikator i ri i zhvilluar nga Qendra për Zhvillimin Ndërkombëtar i Universitetit të Harvardit është indeksi i kompleksitetit, indeks që mat sesa dija produktive e shoqërisë përkthehet në produkte të sofistikuara. Nga kjo pikëpamje ky lloj indikatori është një risi dhe duket që dhe në këtë indikator Shqipëria qëndron jashtëzakonisht mbrapa. Problemi fondamental i ekonomisë sonë lidhet te nxitjet e pamjaftueshme që janë krijuar në ekonomi për të inkurajuar produktivitetin, qoftë në këndvështrimin e trajnimit të forcës së punës ashtu edhe tek përmirësimet dhe avancimet teknologjike. “- thekson Xhepa

Ndërkohë në debatet e përditshme mediatike nënvizohet se mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara është dhe një nga pengesat kryesore të biznesit. Nga ana tjetër një segment shumë i gjerë i biznesit nuk është i interesuar të investojë në teknologji të reja.
“Janë dy grupe të problemeve që ne gjejmë. Një grup problemesh janë ato që lidhen me dëshirën që kanë kompanitë për të hyrë në tregje të reja, për të rinovuar etj., por që kanë pamundësi ekonomike financiare , ju mungon aksesi në financë dhe grupi tjetër janë ata që nuk janë fare të motivuar për të ecur përpara. Shqetësimi jonë kryesor ishte se pse biznesi e gjen veten rehat me pak fitim, pak ekonomi. Nëqoftëse ne qëndrojmë në këtë lloj ekonomie, nuk ngre një dinamikë të re dhe kështu ne do të ngërthehemi në vazhdimësi në një ekonomi që nuk do të provojë konvergjencën me ekonomitë e zhvilluara që ne dëshirojmë. “ –shton Xhepa.
Pas studimit dhe hulumtimeve arrihet edhe në disa rekomandime. Të gjitha politikat publike mbështetëse dhe incentivuese të synojnë objektiva cilësorë për sa i përket nivelit teknologjik, duke hequr dorë nga objektivat sasiorë që lidhen me vëllime investimesh apo numër të punësuarish. Në mënyrë më specifike, legjislacioni për investimet e huaja strategjike, por edhe ligjet për promovimin e startup-eve dhe transferimin e teknologjisë, duhet të vendosin si objektiva: shkallën e automatizimit të proceseve të prodhimit, duke e kushtëzuar çdo përfitim publik me paraqitjen e certifikatave teknologjike që dëshmojnë se janë të gjeneratës së fundit; digjitalizimin e proceseve të prodhimit dhe tregtimit të bizneseve; teknologjia të respektojë standardet mjedisore më të larta që zbatohen sot në vendet e Bashkimit Europian. Në veçanti, fokusi kryesor në këto projekte të jenë investimet në kapitalin njerëzor të vendit, në mënyrë që të sigurohet transferimi i dijes te forca punëtore e vendit. Por pjesë e kritereve përzgjedhëse të jenë edhe politikat e pagave dhe shpërblimit të punës,.
AIDA, që administron fondet publike të mbështetjes për inovacion dhe zhvillim të tregjeve dhe produkteve, të ketë një buxhet të konsiderueshëm për të realizuar këtë mision madhor të modernizimit të ekonomisë. Një fond investimi prej të paktën 10 milionë eurosh të jetë i disponueshëm në çdo vit buxhetor për të mbështetur firmat vendase që kanë projekte të qarta dhe që demonstrojnë kapacitete të disponueshme për të përmbushur objektivat e tyre në këto fusha. Skema të ofrojë grante në të paktën 50% të kostove të teknologjisë apo proceseve të digjitalizimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, me një shumë maksimale përfitimi deri në 50 mijë euro, duke u bërë të krahasueshëm me Serbinë.







