Agjencia ruse e lajmeve “TASS” ka lidhur një marrëveshje me “Roscosmos”, agjencinë ruse të hapësirës, për të pasur një prani gazetareske në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Korrespondenti i parë i TASS në bordin e stacionit orbital do të jetë kozmonauti Alexander Misurkin. Detyra e tij do të jetë të raportojë për rutinën e përditshme të stacionit hapësinor dhe kontributet e tij me foto dhe video do të ngarkohen në faqen e internetit të agjencisë dhe profilet e mediave sociale, raporton “Ansa”.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i TASS, Serghei Mikhailov dhe nga CEO-ja i Roscosmos, Dmitry Rogozin.

“TASS është i pranishëm në të gjitha rajonet e Rusisë dhe në më shumë se 60 vende. Në vitet e ardhshme numri i tyre pritet të rritet. Synonim që hapësira të ishte ndër objektivat e zgjerimit tonë dhe jam shumë i lumtur që bashkëpunimi me Roscosmos mori formë shumë shpejt dhe në mënyrë harmonike”, -tha Mikhailov. (Irma)