Bjellorusia ka bërë të ditur se ka zbrazur kampet e improvizuara në kufirin e saj me Poloninë dhe se ka zhvendosur emigrantët që synonin të kalonin në vendet e BE-së, në një magazinë pranë.

Ndër refugjatët në kufi kishte familje të shumta me fëmijë, kryesisht nga Iraku, Siria, Afganistani, Irani dhe disa vende të tjera afrikane, raporton “Ansa”.

Për emigrantët u ndanë ndihma mjekësore, ujë dhe produkte higjienike, pasi kaluan ditë të tëra në tenda në mot të ftohtë.

Autoritetet bjelloruse po planifikojnë të krijojnë një zonë të veçantë të mbyllur për grupet e emigrantëve që nuk mund të hyjnë në qendër.

Që nga muaji gusht, tre vendet e Bashkimit Evropian në kufi me Bjellorusinë, Lituania, Letonia dhe Polonia, kanë raportuar një numër në rritje të kalimeve të parregullta.

Këtë vit mbi 8 mijë persona janë përpjekur të kalojnë në bllokun evropian përmes Bjellorusisë. (Irma)