
Foto:VCG
Autoritetet amerikane kanë ngritur shqetësimin, pasi më shumë se 100 mijë persona kanë vdekur nga mbidoza e ilaçeve në Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës 12-mujore, një rritje me rreth 30% krahasuar me një vit më parë.
“Kjo është një krizë kombëtare. Nuk njeh asnjë kufi gjeografik dhe sa vjen e përkeqësohet”, tha Anne Milgram, administratore e DEA-s, përcjell “A2”.
Sipas CDC, opiodët vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i rritjes së bilancit të vdekjeve. Opiodët sintetikë, kryesisht fentanili, shkaktuan dy të tretat e të gjitha vdekjeve nga mbidoza.
“Vetëm këtë vit, DEA ka parë mjaftueshëm fentanil për t’i siguruar çdo anëtari të popullsisë së Shteteve të Bashkuara një dozë vdekjeprurëse dhe ne ende po kapim më shumë fentanil çdo ditë”, -u shpreh Milgram.
Specialistët thonë se amerikanët duhet të ndërgjegjësohen për trajtimet lokale dhe burimet e parandalimit. Gjithashtu, ata bëjnë thirrje për monitorimin e miqve dhe familjarëve për ndonjë shenjë varësie. (Irma)







