
Foto:VCG
Një avion që mbante një grup tjetër prej 2 milionë dozash të vaksinës “Sinovac” të dhuruar nga Kina mbërriti në kryeqytetin e Kamboxhias të mërkurën.
Kryeministri i Kamboxhias, Samdech Techo Hun Sen, priti vaksinat kineze në aeroportin ndërkombëtar të Phnom Penh.
Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në faqen zyrtare të kryeministrit në “Facebook” nga Televizioni Shtetëror Kombëtar i Kamboxhias (TVK), “Fresh News”, ofruesi më i madh i lajmeve të vendit në internet dhe disa kanale të tjera televizive.
Hun Sen tha se me furnizimin në kohë dhe të rregullt të Kinës me vaksina, Kamboxhia ka arritur imunitetin e tufës më herët sesa ishte planifikuar dhe së fundmi ka rihapur vendin në të gjitha fushat në normalitetin e ri, raporton “Xinhua”.
Ai shtoi se vendi ka administruar të paktën një dozë vaksinash për 14.08 milionë njerëz ose 88 për qind të popullsisë së tij prej 16 milionësh. Prej tyre, 13.2 milionë ose 82.6 për qind janë vaksinuar plotësisht me të dyja vaksinat e nevojshme dhe 2.07 milionë, ose 13 për qind, kanë marrë një dozë të tretë përforcuese.
Ambasadori kinez në Kamboxhia, Wang Wentian, tha se kjo ishte dërgesa e shtatë e vaksinave për Covid-19 të dhuruara nga Kina në Kamboxhia.
"Tani ne jemi të kënaqur të shohim se Kamboxhia ka arritur një nga normat më të larta të vaksinimit në botë dhe numri i rasteve të konfirmuara ka rënë në dyshifrorë dhe shumica e tyre janë të sëmurë lehtë", -tha ai. (Elona)







