Ministrat e Jashtëm të BE-së po diskutojnë angazhimin dhe situatën në Ballkanin Perëndimor në takimin e Brukselit, që nisi të hënën, bën të ditur “ATSH”.

Dokumenti për diskutim është përgatitur nga Shërbimi i Politikës së Jashtme të BE-së (EEAS). Në dokument, thuhet se në muajt e fundit nuk ka pasur përparim në dialog dhe se atmosfera e përgjithshme rreth bisedimeve Kosovë-Serbi është ende e ndërlikuar.

“Fokusi duhet të kthehet në zbatimin e detyrimeve ende të paplotësuara nga dialogu, duhet të përmirësohet atmosfera përmes lëvizjeve konkrete pozitive dhe të punohet në përparimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim, dhe rrjedhimisht në të ardhmen evropiane të vendeve”, thuhet në dokumentin e përgatitur për diskutim ministror. (Fatosi)