
Foto:VCG
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se homologu i tij bjellorus nuk ishte këshilluar me të përpara se të ngrinte si mundësi ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror të Evropës. Ai shtoi se një lëvizje e tillë do të dëmtonte lidhjet mes Moskës dhe Minskut zyrtar, njofton “Zëri i Amerikës”.
Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko kërcënoi të enjten se do të hakmerret kundër çdo sanksioni të ri të Bashkimit Evropian ndaj vendit të tij lidhur me çështjen emigrantëve të bllokur në kufi me Poloninë. Ai sugjeroi se mund të ndalojë transportimin tranzit të gazit rus dhe mallrave të tjera nëpërmjet Bjellorusisë.
Paralajmërimi i tij ndikoi në një rritje të përkohshme të çmimit të gazit në Evropë, e cila siguron rreth një të tretën e sasisë së gazit nga Rusia, përfshirë dhe përmes tubacionit “Yamal-Europë”, i cili kalon përmes Bjellorusisë, në Poloni dhe Gjermani. Se seksion bjellorus është në pronësi të kompanisë shtetërore ruse, “Gazprom”.
“Kohët e fundit kam folur me Lukashenkon dy herë dhe ai nuk ma përmendi këtë gjë asnjëherë dhe nuk e la as të kuptohet”, -tha Putin në një intervistë për televizionin shtetëror. Këto janë komentet e tij të para publike lidhur me kërcënimin që ka bërë presidenti bjellorus.
"Sigurisht në teori, Lukashenko si president i një vendi tranzit mund të urdhërojë që furnizimet tona të gazit të ndërpriten. Por kjo do të nënkuptonte një shkelje të kontratës sonë të tranzitit të gazit dhe shpresoj që kjo nuk do të ndodhë", shtoi Putin. (Fatosi)







