Liderët e vendeve të G20-s ranë dakord të punojnë së bashku, për të shmangur një krizë ekonomike dhe humanitare në Afganistan, në samitin e jashtëzakonshëm të zhvilluar në mënyrë virtuale, që u fokusua te sfidat humanitare, lufta kundër terrorizmit, situata ekonomike dhe shërbimet publike në vend.

“Do ta quaja këtë takim një sukses, pasi është hera e parë që liderët kanë një përgjigje multilaterale për krizën në Afganistan. U arrit konsensus mbi nevojën për mos të lejuar kthimin e Afganistanit në një lloj vendstrehimi për terroristët ndërkombëtar”, -deklaroi kryeministri italian, Mario Draghi, i cili drejtoi dhe samitin, bëjnë të ditur mediet italiane, citon “A2”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se Gjermania nuk është e përgatitur ta njohë qeverinë e re talebane, por ritheksoi premtimin për 600 milionë euro ndihma, që Afganistani mos të zhytet në kaos.

Merkel kërkoi nga qeveria talebane të mundësojë aksesin për të gjitha organizmave të OKB-së që do të dërgojnë ndihmat dhe theksoi nevojën për respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave.

BE-ja njoftoi për një paketë humanitare prej 1 miliard eurosh, për Afganistanin dhe shtetet fqinje që do të pranojnë refugjatë. Ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, kërkoi që ndihmat të jepeshin përmes organizatave të pavarura ndërkombëtare dhe jo drejtpërdrejt për talebanët. (Elona)