Polakët që mbështesin anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian, kanë protestuar të dielën në gjithë shtetin, pas shqetësimeve se mund të largohen nga blloku evropian, njofton “Radio Evropa e Lirë”.

Më 7 tetor, Gjykata Kushtetuese e Polonisë ka marrë vendim që, disa artikuj të ligjit të BE-së, nuk janë në përputhje me kushtetutën polake.

Organizatorët kanë mbajtur protesta në më shumë se 100 qytete e qyteza, dhe rreth 100.000 persona janë mbledhur vetëm në kryeqytetin polak, Varshavë.

Vendimi i gjykatës ka refuzuar parimin kryesor se ligji i BE-së ka përparësi ndaj legjislacionit kombëtar.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, e ka mbrojtur vendimin. “Ne kemi të drejtat e njëjta sikurse shtetet e tjera dhe duam që ato të respektohen”, -deklaroi ai përmes një postimi në “Facebook”.

Morawiecki insistoi se vendi i Polonisë është dhe do të mbetet në familjen e kombeve evropiane.

Politikanë opozitarë, aktivistë dhe artistë kanë dalë nëpër protesta. Liderët në gjithë BE-në kanë kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Polonisë. (Fatosi)