Foto: VCG

Foto: VCG

Komiteti këshillues i Vaksinave në Gjermani ka miratuar injeksione përforcuese Covid për personat 70 vjeç e lart, si dhe për stafin mjekësor që ndërvepron me pacientët, edhe pse sistemi shëndetësor tashmë po u jep dozat e treta atyre mbi 60 vjeç, raporton “Reuters”.

Paneli i ekspertëve në Gjermani, i njohur si STIKO, bëri të ditur se një dozë e tretë e vaksinave të mRNA nga “Pfizer-BioNTech” ose “Moderna” duhet të jepet gjashtë muaj pas përfundimit të ciklit të plotë të vaksinave.

Sipas STIKO, mbrojtja prej vaksinës zvogëlohet me kalimin e kohës, veçanërisht në lidhje me parandalimin e infeksioneve asimptomatike dhe formave të lehta të sëmundjeve. Në moshë më të madhe përgjigjja imune pas vaksinimit merr një formë të përgjithshme më të dobët dhe infeksionet e shpeshta mund të çojnë më shpesh në sëmundje të rënda. (Irma)