Sulmet kibernetike

Sulmet kibernetike

Rreth 450 milionë sulme kibernetike u shmangën në Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të Tokios pasi përpjekjet kundër faqes zyrtare të uebit dhe sistemit të komitetit organizativ u bllokuan disa herë, njoftuan të martën mediat lokale.

Përpjekjet për sulme kibernetike u bënë që nga hapja e Olimpiadës më 23 korrik deri në mbylljen e Paralimpiadës më 5 shtator, raporton “Anadollu Agency”.

“Falë shkëmbimit të informacionit dhe kundërmasave të marra nga palët, ne ishim në gjendje të parandalonim sulmet kibernetike pa shkaktuar ndonjë dëm”, -njoftoi komiteti organizues përmes një deklaratë.

Qendra Nacionale e Gatishmërisë së Incidentit dhe Strategjisë për Sigurinë Kibernetike (NISC), e cila është e lidhur me qeverinë japoneze, raportoi se rrjedha e turneut nuk u ndikua nga sulmet, pavarësisht përpjekjeve të shumta për hyrje të paautorizuar në gara, përfshirë hapjen dhe mbylljen e ceremonive.

Sipas agjencisë së lajmeve “Kyodo”, “Trend Micro”, një firmë e madhe e sigurisë në internet, njoftoi se numri i sulmeve ishte më i ulët në krahasim me Lojërat Verore të Londrës 2012 dhe Olimpiadën Dimërore PyeongChang 2018.

Për shkak të faktit se Lojërat në Tokio u mbajtën pa spektatorë prej pandemisë, kompania vlerësoi se hakerat nuk mund të përdornin informacionin e biletave dhe audiencës. (Elona)